Në samitin e posaçëm në Ditën Arbëreshe në Tiranë ku morën pjesë figurat më të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të komunitetit arbëresh në Itali, dhe figura të tjera shqiptare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se në Kalanë e Skënderbeut do të krijohet muzeu arbëresh.
Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, kreu i Qeverisë Shqiptare vlerësoi komunitetin arbëresh që për shekuj me radhë ka ruajtur gjuhën dhe traditat.
Përpos muzeut arbëresh, Rama bëri të ditur se mes bashkive të Shqipërisë dhe komunave arbëreshe në Itali do të vendosen marrëdhënie binjakëzimi, si dhe do të ketë panaire verërash shqiptare, si nga Shqipëria ashtu dhe nga Arbëria.
“Po atje në ato ditë lindi edhe ideja e muzeut arbëresh në Shqipëri. Ne nuk e kemi një muze, ndërkohë që komiteti arbëresh ka ruajtur me fanatizëm reliket të jashtëzakonshëm dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri muzeun e Arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur vendin edhe ku tjetër përveç se në kalanë e Skënderbeut”.
“Dhe janë një sërë idesh të tjera, që nga këto institucionale deri te ato që i japin jetë kësaj marrëdhënie. Që nga ditët e verës, kemi bërë një ditë të parë të verërave duke çuar disa nga prodhuesit e verërave tona në Arbëri dhe do ndërtojmë edhe për këtë një kalendar për t’i lidhur bashkë prodhuesit sepse janë të gjitha verëra shqiptare. E deri tek programi i marrjes dhe çuarjes së fëmijëve nga komunat arbëreshe në bashkitë tona nëpër familje dhe nga bashkitë tona tek komunat arbëreshe nëpër familje”, ka thënë Rama.