Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se qëndrimet e ndryshme të tij dhe Albin Kurtit janë si “dy kokat” e shqiponjës që ka veç një trup, raporton Ekonomia Online.
Ai këto komente i bëri kur është pyetur lidhur me qëndrimet që ka me Kurtin lidhur me iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”.
Rama tha se “shqiponja me dy koka” s’mund të kapet në befasi sepse sheh nga të dyja anët, derisa lë të nënkuptohet se në këtë periudhë të historisë Kosova dhe Shqipëria janë me fat që janë dy shtete të ndara.
“Për sa i përket ‘Ballkanit të Hapur’ kemi sigurisht dy qasje, qëndrime dhe opinione të ndryshme, por duhet edhe ju edhe të gjithë të mësohen me faktin se mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat për të bërë së bashku gjërat e duhura në funksion të së ardhmes të të dyja vendeve tona”.
“Mendoj që këto opinione të ndryshme në raport me ‘Ballkanin e Hapur’ nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka. Është një trup i vetëm ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër sheh nga ana tjetër, por trupi qëndron drejt. Kjo do të thotë se shqiponja është krejtësisht e informuar vizuelisht në 360 gradë. Mos kini asnjë dyshim se shqiponja me dy koka rrezikohet që të kapet në befasi nga njëra anë apo nga tjetra, pasi i kontrollon me sy të dyja anët. Mendoj se është vlerë e shtuar në këtë rast, në këtë periudhë të historisë tone, qe jemi shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë rreziku është që ta kafshojmë veten më shumë sesa sot që nuk e kemi këtë luks e as këtë qëllim”.
Rama pohoni që ai dhe Kurti nuk mund të kenë mendime të njëjta për çdo gjë, sepse marrëdhënia e tyre është e tillë që e kanë problem të mendojnë njëjtë për të gjitha çështjet.
“Unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, këndvështrimin strategjik, por edhe për angazhimin që kemi vendosur bashkarisht në funksion të marrëdhënieve tona. Për “Ballkanin e Hapur” është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që mes meje dhe Albinit të gjitha debatet të jenë të mbyllura, sepse pastaj i bie që ne të ndryshojmë emrat dhe të mos jemi ata që jemi. Është fiziologjia e një marrëdhënie mes njerëz që s’rrinë dot pa menduar dhe e kanë problem po të mendojnë njësoj për të gjitha gjërat”.
Rama falënderoi Kurtin që kanë marrë pjesë në mbledhje, duke bërë edhe një batutë për shiun.
“Albin faleminderit për mundim që keni ardhur këtu, ne kishim dashur të ju prisnim me diell por që nuk ia dolëm dot, megjithatë mbase ky shiu që vazhdon insiston është një berqet për funksionin tonë të përbashkët që është bashkimi dhe intensifikimi i gjithë veprimeve mes dy shteteve duke kthyer kufirin në formalitet”, theksoi ai.
Kurse, Kurti në fjalimin e tij vazhdoi batutën me shi, duke thënë së në këtë kohë duhet edhe shiu edhe dielli.
“Faleminderit shumë i dashur Edi, ne po mbjellim bashkë e do të na duhet edhe shumë shiu edhe shumë diell, për frytet që do t’i gëzojnë qytetarët tanë në të dy anët tona të kufirit”, potencoi ai.