Edi Rama e kishte paralajmëruar më parë dhe tashmë është fakt, Sali Berisha shpallet person non-grata në SHBA. Lajmi u dha nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Sipas Blinken, “veprimet e Sali Berishës minuan demokracinë në Shqipëri”.
SHBA ka futur në listën e zezë Sali Berishën dhe famlijarët e tij.
“Aktet e korrupsionit nga ish-Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë jam duke deklaruar publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne mbetemi #BashkëKundërKorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, thuhet në postimin e Sekretarit te Shtetit.
Në fillim të shkurtit 2019 Edi Rama ia pati thënë Berishës publikisht në parlament se SHBA e kishin shpallur non grata.
“Tani kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë për ty. Sali, ti e kapërcen dot oqeanin po të duash? Hajde përgjigju. Më bëre një pyetje të drejtpërdrejtë. Ta dhashë përgjigjen e drejtpërdrejtë për të të bërë një pyetje të drejtpërdrejtë. Ti, po të duash, e kapërcen dot oqeanin Sali? Nëse unë do të isha ai që më përshkruani ju, të jeni i sigurt që unë nuk do e kapërceja dot oqeanin e jo më të komunikoja me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë nuk kam mundësi të kërkoj diçka të tillë”, tha Rama në parlament në 1 shkurt 2019.
Por në sallën e parlamentit në përplasjen ballë përballë Berisha nuk dha një përgjigje të qartë. Berisha u justifikua me argumentin e tani ai nuk ka asnjë post të rëndësishëm dhe nuk preferon të bëjë vizita jashtë. “Unë i kam ndërprerë të gjitha llojet e udhëtimeve zyrtare. Kjo sepse nuk jam person që përfaqësoj më një forcë politike. Përfaqësoj veten time. Prandaj Edi, që ta dish ti, çdo dy muaj kam marrë ftesa dhe marr, por e kam të vendosur që nuk udhëtoj për qëllime zyrtare askund. Kur të më teket Edi Rama, në SHBA dije mirë ti, kam arritur aty ku ti nuk mund ta rrish kurrë”, tha atëherë Berisha.