Rama: E vështirë të arrijnë një konsensus

Prishtinë | 18 Shk 2019 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhje me deputetët të tij në selinë rozë, e sheh me dyshim se kreu i opozitës do ta realizojë deklaratën e bërë një ditë më parë.

“Opozita dështoi me sukses të plotë ne orvatjen e saj të dëshpëruar dhe tani premton djegie mandatesh. Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashes, pra një çadër në forme bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Dhe Lulzimi e di këtë, por luan bllofin” ka deklaruar Rama.

Më tej Rama ka shtuar se: “Sidoqoftë ne do te ecim drejt, duke dëgjuar njerëzit, duke e përmirësuar çdo dite qeverisjen, duke u organizuar me mirë se asnjëherë për zgjedhjet vendore. Hyjnë nuk hyjnë ata në zgjedhje, ne duhet të fitojmë jo thjesht votat e shumicës, po zemrat e besimin e edhe më shumë qytetareve se sa herën e shkuar.

E teksa e ka cilësuar si të dështuar protestën e së shtunës, organizuar nga opozita, kryeministri Rama në mbledhjen e grupit Parlamentar ka përgëzuar punën e policisë dhe të ministrit të Brendshëm, për menaxhimin e saj.

“Të përgëzojmë e falenderojmë të gjithë së bashku ministrin e Brendshëm e përmes tij drejtuesit e punonjësit e Policisë së Shtetit, për menaxhimin e shkëlqyer të një proteste të gatuar për dhunë e për destabilizim. Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt të ndryshëm sjelljeje të pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal të atyre që dje vranë protestuesit, sot duan të vrasin shpresën europiane të shqiptarëve”, deklaroi Rama.

Mësohet po ashtu se një grup pune i drejtuar kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja dhe ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, do të propozojë këto ditë sanksione të forta në rregulloren e Kuvendit për deputetët që përdorin dhunë të çdo forme apo fjale te renda në Parlament. /TopChannel

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme