18 vjet më parë, në Samitin e vitit 2003 Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Selanik, na u tha se e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian, u kujton liderëve evropianë kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Në atë kohë, kryefjala e BE-së ishte “zgjerimi”. Tani, mbështetja e qartë e Evropës duket se është bërë e mundshme dhe ndoshta grindjet e brendshme të bllokut nënkuptojnë se premtimi për zgjerimin duhet të anulohet përkohësisht. Megjithatë, ne nuk presim thjesht BE-në. Ne po përgatitemi për të dhe po krijojmë mundësi për njerëzit tanë”.
Rama nënvizon se shqiptarët janë ndër komunitetet më pro BE-së në Evropë ndaj meritojnë të gëzojnë përfitimet e anëtarësimit.
“Ne jemi peng i të njëjtave forca historike të ndarjes që BE-ja u krijua për t’i eliminuar. BE-ja duhet të pranojë se po turpërohet me mbrojtësit e saj më të vendosur, ndërkohë që përparimi ynë drejt anëtarësimit bllokohet nga vetëm një veto e çuditshme kolaterale si ajo e Bullgarisë”.
“E njëjta pasiguri vlen edhe për Maqedoninë e Veriut – e cila ka arritur deri aty sa ka ndryshuar emrin e saj – dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët tani janë më pak të lirë të udhëtojnë se më parë, edhe pse ata kanë përmbushur të gjitha kërkesat e BE -së”.
Rama shtron disa kërkesa për krerët e shteteve evropiane, që rajoni të lejohet të marrë pjesë plotësisht në tranzicionin digjital dhe të gjelbër të BE-së, në programe të përbashkëta të arsimit të lartë dhe integrimin në sistemin arsimor të BE-së, si dhe që shtetet ballkanike të mund të përfshihen në planet emergjente të BE-së, për të përballuar krizën energjetike.
“Nisma e Ballkanit të Hapur është diçka që tashmë e kemi filluar duke pasur frymën dhe parimet e Procesit të Berlinit. Shpresojmë të fillojmë lëvizjen e lirë të mallrave në janar të vitit 2022 dhe të hapim kufijtë tanë deri në janar të vitit 2023. Dhe është e vetëkuptueshme që Open Balkans është i hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor sa herë që ato do të vendosin të na bashkohen”.
Do të marrim pjesë në të dy proceset, atë të Berlinit dhe Ballkanin e Hapur, përfundon editorialin për politico.eu, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.