Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkoi për vizitë në familjen Rasha, që humbi dy ditë më parë djalin Klodianin, pasi u qëllua me dy plumba nga një efektiv i Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit me familjarët, kryeministri mësohet t’u ketë thënë se pret që Prokuroria të zbardhë të vërtetën për atë që ndodhi atë natë.
Burimet kanë konfirmuar, për A2, se ishin në dijeni të vizitës së kryeministrit Rama. Po ashtu, mësohet se familjarët kanë kërkuar të vihet drejtësi, të zbardhet e vërteta. Nga ana e tij, kryeministri Rama mësohet se i ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe i ka deklaruar atyre mbështetjen e plotë, duke i thënë se, “ne na keni pranë, unë jam shumë i pikëlluar dhe kjo që ka ndodhur është një fatkeqësi. Mezi kam pritur që të vija. Nuk më zinte vendi. Prokuroria do të zbardhë ngjarjen dhe të vërtetën”, mësohet të jetë ky premtimi që i ka dhënë kryeministri familjarëve të 25-vjeçarit të vrarë.
Në këtë vizitë, kryeministri nuk kishte në krah as ministrin Sandër Lleshaj dhe as drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu. Rama shoqërohej nga ministrja Spiropali dhe nga deputeti i zonës, Ulsi Manja.
Për këtë ngjarje, kryeministri Rama pritet të ketë një deklaratë në orën 18:00.
Klodian Rasha, 25 vjeç, u qëllua për vdekje me dy plumba nga një efektiv gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore, të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. Ky i fundit është arrestuar për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes./ A2 CNN