Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në emisionin Porta a Porta në televizionin Rai Uno për Kristi Reçin, të fejuarën e djalit të tij Greg Rama, e cila bashkë me familjen e saj humbën jetën nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit.
Teksa u ngushëllua nga gazetari Bruno Vespa për këtë humbje, Rama tha se nuk ka dashur të flasë për këtë gjë sepse tërmeti nuk ka prekur vetëm atë dhe familjen e tij por të gjithë vendin.
“Kam detyrimin të bëj kryeministrin e një vendi që vuan tragjedinë, ndaj nuk doja të flisja për këtë ngjarje sepse nuk është diçka që më përket vetëm mua dhe familjes sime, por i përket të gjithëve. Kjo humbje vetëm sa e shtoi detyrimin tim për të bërë gjithçka, sepse nuk shoh ndryshim nga gjithë të tjerët që humbën jetën”, thotë Rama.