Rama flet për vrasjen e Shkëlzen Qordjas – shoferit të Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë

Prishtinë | 01 Kor 2018 | 11:30 | Nga

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngushëlluar familjen e gardistit që u vetëvra dje, Shkëlzen Qordja, shoferi i Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj.

Rama tha se ishte një vendim ekstrem e befasues i tij për të gjithë dhe ndan me familjen keqardhjen se përtej tragjedisë ata nuk gjetën dot qetësinë nga sulmet politike.

Kryeministri i quajti akuzat dhe deklaratat e opozitës, një agresion brutal dhe të neveritshëm.

“Dua ta nis në mënyrë pak të veçantë këtë takim sepse rrethanat e diktojnë duke përfituar nga rasti për t’i shprehur ngushëllimet familjes së punonjësit të gardës, i cili u nda nga jeta pasi mori një vendim ekstrem dhe befasues për të gjithë”, tha Rama.

“Dua të ndaj me familjen të gjithë ndjenjën më të fortë të keqardhjes për faktin se edhe përtej tragjedisë edhe përtej dhimbjes së pangushëllueshme të një familje për djalin, vëllanë, një njeri të shtrenjtë, ata nuk mundën të gjejnë së paku qetësinë për të lotuar brenda mureve të shtëpisë së tyre, sepse u gjendën në rrebeshin e zi të sulmeve politike për të njëjtat arsye të mosarsyes që e kanë dominuar për kaq shumë kohë politikën tonë dhe që vazhdojnë ta dominojnë padashur fare ta dinë për respekt, për të vërtetën jo e jo por për njerëzit e thjeshtë në kulmin e një momenti dhimbje”.

“Agresioni brutal ndaj djalit që u nda nga jeta përfshirja e tij në një skenar fantazie makabër për të goditur ministrin e Brendshëm, për të goditur qeverinë vërtetë që nuk ka fjalë për t’u komentuar. Është i neveritshëm, është i turpshëm”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme