Kryeministri Edi Rama ka zhvendosur të gjithë prefektët, Forcat e Armatosura, deputetët dhe ministrat, në Durrës, aty ku pasojat e tërmeteve ishin më të mëdha.
“Stadiumi i Durrësit sot duhet të jetë në dispozicion”, kështu deklaroi kreu i qeverisë, Edi Rama.
Rama ka kërkuar tri gjëra të rëndësishme, që duhen realizuar brenda ditës së sotme, duke filluar nga komunikimi me qytetarët e prekur, te lirimi i Stadiumit për familjarët, e deri të harta me identifikimin e të gjitha pikave të prekura nga dëmet.
“Sot është një ditë e vështirë për ata që kanë ndjerë më shumë goditjen dhe që janë akoma nën efektin e atij stresi, që do të thotë se është një ditë për t’iu qëndruar afër, për t’iu shpjeguar me qetësi gjërat.Është me shumë rëndësi që çdo plasaritje të inspektohet në mënyrë profesionale dhe çdo cenim i dukshëm i çdo pallati të inspektohet në mënyrë profesionale, sepse mund të jetë reagimi i fugës sizmike, por mund të jetë dhe një cenim strukturor që e bën të rrezikshme godinën.
“Gjëja e parë që kërkoj është që të gjithë ju, edhe prefektët e ardhur nga qarqet e tjera, të spostoheni në Durrës, me synimin që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të konkatohet për t’u dëgjuar. Ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit dhe ato të mirëqenies sociale të organizohen dhe shpërndahen në mënyrë të struktura, me destinacione konkrete, dhe brenda ditës së sotme, para se të vijë nata, duhen kontaktuar të gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët, edhe ministrat, sepse është një moment psikolog që kapërcehet me komunikim.
E dyta, njerëzit kishin dalë te stadiumi mbrëmë dhe gjëja më e thjeshtë ishte t’iu hapej stadiumi që të mos rrinin në mes të rrugëve. Kështu që sot stadiumi do jetë i hapur dhe i pajisur me të gjithë strukturën akomoduese. Gjëja që duhet të shoh pasdite është harta se kush bën çfarë. Duhen kontrolle të unifikuara perfekt, bashkia, prefektura, policia. Tamam si në një hartë beteje, ju duhet të keni deri pasdite çdo pikë të identifikuar si pikë e dëmtuar, me emra.
E fundit që kam, ata që janë dëmtuar duhet të jenë të sigurt që nuk do të harrohen. Duhet të kemi një inventar të saktë, në mënyrë që nesër, kur të ketë rënë barra e rëndë, dhe kur ne të kemi kapërcyer momentin e parë të identifikimit të dëmeve strukturore, të kalojmë në fazën e hartës së dëmeve. Është shumë e nevojshme që ushtria të marrë informacion të saktë sa çadra duhen. Atje ku dje ka pas momente paqartësie, sot nuk duhet të ketë më paqartësi”, tha Rama./