Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Ramush Haradinaj me paturpësi po e sulmon Albin Kurtin.
Ai ka thënë se ish-kryeministri Haradinaj po baltos njeriun që po e zhbllokon Kosovën me heqjen e taksës ndaj Serbisë.
“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës”, ka reaguar Rama në Twitter, përcjell Telegrafi.
Reagimi i Ramës ka ardhur pasi Haradinaj akuzoi Kurtin se ka bërë marrëveshje me presidentin serb Aleksandar Vuçiqi për heqjen e taksës, duke thënë se Kurti është dorëzuar herët, ndërsa ka paralajmëruar veprime edhe më të këqija nga kryeministri i ri i Kosovës.
Gjithë këto akuza, Rama i ka quajtur idiotësi, sipas tij, ideja se përmes taksës Serbia do ta njohë Kosovën është e parealizueshme.
“Asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës se sa ajo taksë e kthyer në një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës”, ka shtuar Rama.
Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se taksa hiqet tërësisht nga 1 prilli, ndërsa pjesërisht nga 15 marsi.