Tre ditë para finales së madhe të “Conference League”, e cila do të luhet në stadiumin “Air Albania” mes Romës dhe Feyenoordit të Roterdamit, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere Dello Sport”.
Rama ka folur për finalen e madhe që do të mbahet të mërkurën e 25 majit në Tiranë, teksa ushpreh se ka shpirt italian dhe se gjyshja e tij ka gjak italian.
“Unë kam një shpirt italian, gjyshja ime kishte gjak Venecian, falë saj mësova gjuhën tuaj. Për mua italianët janë shqiptarë të veshur me Versace. Jemi vërtet të ngjashëm në kulturë dhe mentalitet”, ka thënë Rama për prestigjiozen italiane.
Ndër te tjera ai tha se finalja e “Conference League” është një mundësi e madhe për Shqipërinë.
“Për ne është krenari të presim këtë finale. Deri para disa vitesh Kombëtarja jonë nuk mund të luante në Tiranë sepse kishte një stadium të vjetër që nuk përmbushte standardet ndërkombëtare. Tani kryeqyteti po pret për herë të parë një finale evropiane”, është shprehur Rama.
Pyetje: A është e vërtetë që e përkrahni Juventusin?
“Po, që kur isha fëmijë. Por tani që Roma drejtohet nga Mourinho, është e vështirë për mua të zgjedh. Isha magjepsur prej tij kur ishte te Interi, aq sa në atë periudhë më bëri të tradhtoja pak Juventusin… Le të themi se jam një lojtar i Juventusit nga Mourinhano. E vërteta është se unë nuk jam ekspert futbolli. Unë jam më i interesuar për trajnerët: prej tyre mund të mësoj karizmën, udhëheqjen, aftësinë për të menaxhuar një grup”, tha Rama.
Rama foli gjithashtu edhe për Marash Kumbullën.
“Nuk e njoh personalisht por këtu të gjithë flasin mirë për të. Në Shqipëri nuk është e lehtë t’i bësh të gjithë të jenë dakord. Marashi është flamuri jonë dhe një lojtar shumë i fortë. Ka qenë shumë i aftë për ta bëjë Mourinhon të ndryshojë mendje duke fituar hapësira të rëndësishme në skuadër.”/ gazetatema