Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot për fillimin e vaksinimit masiv.
Rama e ka cilësuar procesin e nisur si një nga ditët më të bukura për njerëzit duke vlerësuar se politika e mirë është ajo që sjellë punë të mira.
“Sot ka nisur çlirimi nga ankthi në shpirtin e mijëra gjysheve dhe gjyshërve të këtij vendi, që për shkak të rrezikut të madh që i kërcënon në këtë kohë të mallkuar, ku bota përballet me armikun e padukshëm, kanë qenë të detyruar të mbyllen brenda dhe të privohen nga shumë orë në ajër të pastër, të privohen nga shumë kontakte me nipërit, me mbesat, të privohen nga shumë ulje me njëri tjetrin dhe ndërkohë të mësojnë çdo ditë lajme të hidhur për bashkëmoshatarë të tyre që ndërrojnë jetë si rezultat i marrjes së frymës dhe i ndalimit të rrahjeve të zemrës nga agresioni i armikut të padukshëm.“
“Sot kemi hyrë në fazën finale të kësaj lufte dhe faktikisht çdo ditë nga sot është një hap kolosal drejt fitores përfundimtare mbi këtë mortje, që prej një viti e kusur e ka ndryshuar rrënjësisht kuptimin e jetës sonë dhe ka penguar çdonjërin prej nesh të marrë frymë thellë për të parë të ardhmen në një përpjekje të përditshme për ti mbijetuar të tashmes. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër pa asnjë dallim që të marin vaksinën. Është një nga ato momente që kush do e kupton që politika në vetvete nuk është diçka e keqe. Përkundrazi, politika ka lindur për këtë, për të bërë gjëra si këto. Kur politika bie në duar të mira bën punë të mira. Kur bie në duar të këqija bën punë të këqija”, ka thënë Rama.