Kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin francez France 24 e quajti protestën e opozitës si një çështje e brendshme e vendit, dhe që nuk duhet të zërë faqet e para të mediave ndërkombëtare.
“Mendoj se nuk është një lajm që duhet të zërë faqet e para të gazetave ndërkombëtare, është jeta e brendshme e vendit, opozita është duke protestuar dhe ka një qeveri që është në fuqi. Të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit në Shqipëri kjo ndodh shpesh herë, që kur kemi hyrë në demokraci. Po dhe në fakt kur flas në një gjuhë të huaj, nuk flas ndonjëherë për opozitën se mendoj se është çështje e brendshme e Shqipërisë. Shqipëria ka parë manifestime më të mëdha kjo është jeta demokratike e vendit”, është shprehur kryeministri Rama.
Ai tha se Shqipëria nuk është duke trokitur në dyert e BE-së për tu bërë anëtar, por po përgatitet poër hapjen e negociatave.
“Nuk jemi duke trokitur në dyer te BE për t’u bërë anëtar po jemi duke u përgatitur për hapjen e negociatave që do të vazhdojnë shumë vite për të vendosur në jetë të gjitha reformat e nevojshme për të përmirësuar gjithçka që mund të bëjmë dhe nga pikëpamja e ligjvënies. Po, Evropa po vuan nga kriticizmi që vijnë nga brenda BE, mendoj se ka shumë arsye për këtë kriticizëm dhe më themelorja sipas meje është që sot Evropa është duke jetuar për herë të parë në historinë e saj një çast që brezi i ri i sotëm nuk e ka njohur luftën. Ndërkohë që ne ballkanasit e kemi njohur luftën. Nuk bëhet fjalë për zgjerim të BE po bëhet fjalë për të vazhduar në të njëjtën linjë atë që ka thënë presidenti juaj, Macron,nga njëra anë drejt thellimit të unionit përpara se të zgjerohemi dhe nga ana tjetër thellim të reformave në vendet e Ballkanit përpara se të bëhemi anëtar”, tha Rama.