Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në seancën e Këshillit të Sigurimit nën cilësinë e kryesuesit të OSBE-së.
Rama tha se kryesimi i OSBE-së nga Shqipëri, është një ngjarje madhore për Shqipërinë.
“Jam shumë i nderuar që i drejtohem këtij këshilli nën cilësinë e kryetarit i OSBE. Kjo mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve me sfidat bashkëkohore është një shprehje e bashkëpunimit të shkëlqyer midis organizatave tona. OKB dhe OSBE janë partnerë të natyrshëm si organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë, OSBE është një shtyllë e rëndësishme e rendit ndërkombëtar “- tha Rama.
“Së bashku mund të përballemi me sfida kyçe. Për Shqipërinë marrja e kryesisë së OSBE është një ngjarje madhore që shënon një hap mësipërm në lidershipin tonë. Në krye të OSBE objektivi strategjik i Shqipërisë do të jetë të mbrojë veprimin shumëpalësh në një kohë që po ndjejmë se po sulmohet”- shtoi kreu i qeverisë shqiptare.
Kreu i qeverisë shqiptare prezantoi edhe prioritetet që ndahen në tre shtylla.
“Kryesia shqiptare do të mbështete në tre shtylla; të bëjmë dallimin në terren. OSBE e ka provuar kohë pas kohe se mund të dislokohet në mjedise sfiduese. Ne do të promovojmë punën e organizatës sonë sa më pranë njerëzve. Përpjekjet për të zgjidhur konfliktin mbetet në krye. Kriza në Ukrainë dhe përreth saj mbetet sfida më e ngutshme”, u shpreh Rama.