Kryeministri shqiptar Edi Rama tha sot në Kuvend se mazhoranca është e hapur për dialog me opozitën në rrugë, por nuk është e gatshme që të diskutojë Kushtetuten. Rama tha se zgjedhjet me 30 qershor nuk do të ndryshojnë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për problemet, por nga ana tjetër jemi krenarë për arritjet”, ky ishte konkluzioni kryeministrit Edi Rama për progres-raportin e Komisionit Europian për të cilin tha se jep indikacione të qarta se çfarë duhet të bëjë opozita.
“Është shumë e qartë se ka një vendosmëri për të vijuar përpjekjen destruktive dhe për të vijuar furnizimin me alibi dhe justifikime negative të të gjithë atyre që për arsyet e tyre nuk e duan as zgjerimin e Europës, e aq më pak çeljen negociatave me Shqipërinë. Ne mbetemi të vendosur të stimulojmë dialogun me opozitën, por padiskutim nuk kemi asnjë gadishmëri për të negociuar Kushtetutën”, tha Rama.
Debatet e nisura për koston e ndërtimit të rrugës Milot-Balldren dhe Partneritetet Publike Private, kryeministri i shikon si një mal me shpifje pasi sipas tij nuk janë metoda kriminale.
“E pa imagjinueshme, që kilometrat e rrugëve të trajtohen si metra teritali. Nuk mund t’i bihet shkurt e të thuhet që për 17 km rrugë kaq shumë para. Rruga Milot-Balldren ka dy ura në ato kilometra. Ura mbi Drin 224 metra hapësirë drite dhe urën mbi Mat me 624 metra hapësirë drite, ka 6 nyje me mbikalime dhe nënkalime. Duke qenë një rrugë e standardit A, nuk do të bashkëjetojnë në ecje e sipër automjetet me bagëtitë. Për shkak të terrenit do të ketë një spostim në pjesën shkëmbore. Pra do të hapet një rrugë për të evituar atë pjesë të rrëshqitshme”, tha Rama, raporton Tch.
Seriozitetin e cështjeve të diskutuara nga Kryeministri ia zuri vëndin humori me deputetin Kujtim Gjuzi.
“Kam nderin e madh të ndërpritem nga Lartmadhëria e Tij, Kujtim Gjuzi i Parë. Mos më ndërprit, edhe reflekto edukatën monarkike që është edhe shprehja më e lartë e njeriut e përpjekes së njeriut për të respektuar njeriun”, i tha Rama.