Kandidati për kryeministër nga Partia Socialiste, njëherësh edhe kryeministër, Edi Rama, ka theksuar se Shqipëria në 25 prill do të përballet me një test karakter.
“Shqiptarët do të duhet të vendosin anën në të cilën do të gjenden në datën 26 sepse në 25 prill është dita jo për të bashkuar kënaqësitë tona por pakënaqësitë tona dhe për ti thënë vetes se ka plot arsye që ne të jemi të pakënaqur me atë që kemi bërë. Me këtë fuqi do ngjitemi më lart, sepse ky është misioni ynë dhe kjo është koha jonë. Shumë kush thotë ç’e do Ramën në mandatin e tretë. Unë e di se kush nuk do të besojë nuk do besojë kurrë, por mandati i tretë nuk është për mua, është për të zmbrapsur përfundimisht atë mallkim të historisë tonë që ju shfaqet shqiptarëve në formën e personazheve të ndryshme që i joshin”.
” Mandati i tretë është mandati që do të vulosë një herë e mirë se ajo që ndodhi dje në Elbasan dhe ajo autokolonë e shfaqur në jetën e shqiptarëve nuk do të shfaqet kurrë më. Nuk do të ketë politikanë të cilët do të mund ta marrin përsipër të bëhen korrierët e atij mallkimi. Historia jonë ka plot raste kur momentet, sfidat janë bërë të rënda. Korrierët e mallkimit janë shfaqur dhe i kanë folur shqiptarëve me zëra joshës, arsye të ndryshme, fytyra të ndryshme por zëri është po ai, që i fton ta lënë betejën, që u thotë ky vend nuk bëhet prandaj KÇK, zëri që do ti bindi se rruga e shkurtër pas korrierit është rruga që do ti japë atë që puna nuk e jep dot. Historia e ka treguar sa shtrenjtë e kanë paguar shqiptarët vajtjen pas këtyre korrierëve. Edhe Lulzim Basha edhe autokolonë vijnë nga historia”.
Rama në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Tiranë nuk ka kursyer as ‘sulmet’ kundrejt opozitës dhe kryedemokratit Basha, për të cilin thotë se në ndryshim nga sa duket si një lider europian, ai nuk është gjë tjetër veçse një korrier i historisë së shkuar, që sipas tij në 25 prill duhet të marrë fund.
“Nuk ka forcë që del nga nevoja e brendshme për çfarëdo ndryshimi të një populli dhe që shfaqet me brutalitet dhe është e gatshme ti marr jetën njerëzve që nuk janë në autokolonë. Basha është shfaqja e një formë të ndryshme në formë ndryshe, hajde më mirë se nuk është tipi im, por e okllaisur, i shkathët por nuk është një figurë e nxjerr nga nevoja dhe aspirata, nga domosdoshmëria e popullit, është korrieri i radhës i një historie që në një 25 prill duhet të bëhet e harruar dhe e shkuar. Mos pranoni kurrë të udhëhiqeni nga dikush që është i kënaqur, nga ata që nuk duan të dinë që u gdhi por presin që dielli të nxehet e të hapin sytë”, ka thënë Rama.