Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar të jetë kërcënuar nga ndonjë qytetarë, ani se policia e ka arrestuar një person për kanosje ndaj tij, raporton Ekonomia Online.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, kreu i kryeqytetit, tha se raportimet për kërcënimin e tij nuk janë të sakta.
“Mediet kanë raportuar një kërcënim ndaj meje si Kryetar i Kryeqytetit. Dua të sqaroj se nuk ka pasur asnjë kërcenim ndaj meje dhe se raportimet e tilla nuk janë të sakta”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.
Mirëpo, Policia e Kosovës në raportin 24-orësh tha se kanë arrestuar një person për kanosje ndaj kryetarit të komunës dhe kryesuesit të kuvendit komunal.
“KANOSJE NDAJ PERSONIT ZYRTAR – Komuna e Prishtinë 08.05.2024 – 15:00. Më 23.05.2024 pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar me dyshimin se i njëjti gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me planin rregullues të një lagjeje të kryeqytetit, kishte kanosur dy zyrtarë të KK Prishtinë (kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal). I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.