Qeveria ka miratuar një vendim i cili pezullon plotësisht prokurimet publike deri në një afat të pacaktuar me përjashtim të blerjeve. Lëvizja e beftë e iniciuar nga vetë Kryeministri Rama duket se ka për qëllim të shmangë prokurimet abuzive gjatë periudhës së tranzicionit deri në formimin e qeverisë së re.
Aktualisht kabineti qeveritar është i përbërë nga përfaqësues të tre forcave politike, Partisë Socialiste, asaj Demokratike, por edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, raporton Tch.
Burime nga Qeveria i thanë Top Channel se urdhri synon të ndal abuzimet potenciale me tenderat nga ministrat jashtë Partisë Socialiste. Sipas tyre, këtu bëhet fjalë jo vetëm për ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, por edhe për ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët pas shtatorit pritet të dalin në opozitë.
Ekspertët e Ministrisë së Financave thonë se synimi i kësaj mase është të shmanget situata e krijuar në vitin 2013, ku sipas tyre, Qeveria në ikje e prokuroi pjesën dërrmuese të tenderëve të të gjithë vitit në periudhën e tranzicionit nga qershori deri në shtator, duke konsumuar thuajse të gjithë hapësirën e deficitit buxhetor.
Vendimi, përveçse ka pasoja financiare, është edhe një mesazh i fortë i Kryeministrit Rama, kundrejt opozitës së re. Gjatë fushatës elektorale, Rama kërkoi mandat për të qeverisur i vetëm. Sipas tij, kjo do i mundësonte qeverisë të ndalë atë që ai e quan pengmarrje të shtetit nga partitë e vogla.
Partia Socialiste arriti të sigurojë 74 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe një ditë pasi KQZ zyrtarizoi rezultatin e zgjedhjeve sipas qarqeve, Rama ka dhënë sinjalin e parë se pushteti tashmë i përket vetëm një partie dhe nuk do të ndahet më, sipas modelit që ai e quan tepsi.