Kryeministri shqiptar Edi Rama me ardhjen e dozave të para të vaksinës kineze këtë të enjte në Shqipëri ka bërë sërish thirrje për vaksinimin e të gjithë bluzave të bardha në Kosovë.
“Brenda pranverës së ardhshme ne duam që të kemi vaksinuar të gjithë popullsinë e vaksinueshme pasi foshnjat nuk vaksinohen. Ne duam që të gjithë së bashku të mbyllim këtë luftë”.
Rama ka theksuar se duke filluar nga nesër marrin përsipër vaksinimin e 11 mijë punonjësve shëndetësorë të Kosovës.
“Ne sot kemi mundësi që të japim një mesazh të drejtpërdrejtë Kosovës që ne jemi gati menjëherë që nesër të marrim përsipër vaksinimin e 11 mijë punonjësve të shëndetësisë në Kosovë. Duke pasur parasysh ardhjen e tyre në Kukës ne jemi gati që të vaksinojmë të gjithë”.
“Nëse ata duan të organizojnë procesin dhe vijnë më shpejt në Kukës, s’ka problem, mund të bëhet në një kohë më të shpejtë”, ka thënë më tej Rama.