Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në daljen e parë në media, pas fitores së zgjedhjeve, foli për qeverinë e ardhshme, marrëdhëniet me Ilir Metën dhe Partinë Demorkatike.
Kreu i qeverisë shqiptare, në emisionin “Top story” në TCH, thotë se në shtator, Shqipëria do të ketë një qeveri të re, por më shumë sesa për emrat në PS, po diskutohet bashkëqeverisje me qytetarët.
“Duhet të mobilizohemi fort për të pasur solidaritet në 3 shtyllat që do të mbajmë: në grupin parlamentar, në qeveri dhe në parti dhe duhet të jemi bashkë me njerëzit. Nuk flas dot për emrat për kabinetin e ministrave, sepse nuk jemi në fazën e emrave. Ajo për të cilën po punojmë, është që ne kemi ngritur disa grupe, që po merren me aspekte të ndryshme, unë vetë po merrem personalisht me platformën e bashkëqeverisjes”, tha Edi Rama, transmeton PortalAlb
Në 24 korrik Ilir Meta betohet si president, ceremoni në të cilën votat e socialistëve që e votuan si kandidat për president, do të jenë në sallë megjithëse Ilir Meta mori pjesë në fushatë për LSI-në.
“Pavarësisht nga sjellja spektakolare zhgënjyese në fushatë, e Presidentit të zgjedhur, sidoqoftë, respekti për institucionin vjen i pari dhe sigurisht me shpresën që i pari që ta respektojë institucionin e presidencës, të jetë vetë Presidenti i zgjedhur. Pjesët e tjera pastaj janë folklor, pra është po, përgjigja është po, përgjigja është po, do të jeni aty në 24 korrik. Nuk e kam vënë ndonjëherë në pikëpyetje këtë temë”, u shpreh Rama.
Krahas formimit të qeverisë së re, Edi Rama duket se po ndjek edhe garën për kryetar të partisë Demorkatike, garë e cila mund të vendosë në pikëpyetje marrëveshjen e tij me Lulzim Bashën.
“Është një fushatë brenda partisë dhe sigurisht që në atë fushatë, secili kërkon arsye për të kontrastuar me tjetrin, por unë besoj që nëse ka pasur një akt të duartrokitshëm për Shqipërinë, nga PD në 4 vite, ka qenë ajo marrëveshje”, tha kryeministri Rama.
Deri në këtë moment, pas zgjedhjeve të fituara, siguria më e madhe e Edi Ramëns duket se është emri për kryetarin e ardhshëm të parlamentit.
“Gramoz Ruci, kryetari i ri Parlamentit? Për mua 100 përqind po. Tani shpresoj që të mos më marrë në telefon e të më thotë pse s’më pyete mua”, u shpreh Rama.