Kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbledhur sot drejtuesit e 4 qarqeve të veriut (Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër) në Shëngjin të Lezhës, ku ka paralajmëruar “furtunë” në Bashkinë e Shkodrës.
Lidhur me këtë njësi vendore, Rama citohet të ketë thënë: “Do iki çdo drejtor, me të mirë ose të keq. Janë të gjithë të mbaruar. Do të bëjmë një ndryshim radikal”, duke shtuar edhe porosinë që në të gjitha postet drejtuese të emërohen gra, pa dhënë një arsyetim bindës për këtë seleksionim të punonjësve të institucioneve lokale mbi baza gjinore.
Për të ndjekur këtë proces, është caktuar deputeti Luan Harusha.
Vlen për t’u kujtuar se në mbledhjen e kaluar me drejtuesit e qarqeve, Rama kërkoi që paralelisht konstituimit të Bashkive dhe të këshillave bashkiakë që duhej kryer deri në datën 15 gusht, të bëhej edhe një analizë mbi çdo punonjës të njësive vendore.
“Konstituimi i këshillave bashkiakë dhe kryebashkiakëve deri më 15 gusht. Të bëhet vlerësimi i punonjësve në çdo bashki. Një analizë e strukturave dhe shërbimeve në institucionet lokale. Të shikohet cili është kontributi i drejtuesve të institucioneve në raport me Partinë Socialiste.
Administrata në territor ka probleme. Në muajin shtator dhe tetor do bëhet vlerësimi i gjithë drejtorëve dhe pastrimi i atyre që nuk kapin ritmin.
Vendimet për emërimet e drejtorëve do merren në Këshillin Rajonal. Porosi kryetarëve të Bashkive të bëjnë organigramat e bashkive, planet e investimeve dhe buxhetimeve. Këto plane duhet të jenë gati deri në fund te gushtit”, citohej të kishte deklaruar Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura.
Mirëpo, vërehet një mungesë e theksuar transparence, pasi ende nuk dihet nëse kjo analizë është kryer dhe për më tepër, mbi ç’kritere është bazuar./Lapsi.al