Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimeve të mëdha në Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), duke përfshirë mbylljen, riformatimin, privatizimin ose partneritete të mundshme, nëse institucioni nuk arrin të reformohet.
Gjatë fjalës së tij përmbyllëse në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama kritikoi performancën e RTSH-së dhe theksoi se, në mungesë të përmirësimeve, nuk do të ketë më financim nga taksa e shqiptarëve për televizionin publik.
“Jemi munduar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar. Bilanci i televizionit publik është një dështim i suksesshëm,” tha Rama, duke shtuar se RTSH po kalon “nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja në mospërfillje”.
Kryeministri sugjeroi gjithashtu që RTSH të kërkojë ndjesë publike për shërbimin e ofruar deri tani, duke theksuar se televizionet private arrijnë sukses më të madh me buxhete më të vogla dhe pa financim të garantuar nga shteti.
“Duhet të krijojnë meritën çdo ditë. Deri atëherë, nuk do të ketë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve,” tha Rama, duke shtuar se çdo opsion, përfshirë mbylljen përfundimtare dhe privatizimin, duhet të mbetet “në tavolinë”.
Rama nënvizoi se nuk do të marrë pjesë personalisht në vendimet e ardhshme të RTSH-së, por kërkoi që drejtuesit e televizionit të ndërmarrin reforma të shpejta dhe të thella.