Nga fillimi i tetorit situata shëndetësore me coronavirus në Komunën e Podujevës është përkeqësuar ndjeshëm.
Epidemiologja Bedrie Rama thotë për RTV Dukagjinin se situata e tillë është e pritur duke pasur parasysh rritjen e rasteve në botë dhe shtetet e rajonit.
“Por edhe rritja e rasteve në Prishtinë ka ndikuar edhe në qytetin tonë pasi kemi shumë të punësuar apo studentë në kryeqytet”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Rama thotë se situata megjithatë është e menaxhueshme dhe sipas saj janë marrë masat preventive.
Epidemiologja ka shprehur edhe shqetësimin pasi në këtë komunë kanë filluar tubimet zgjedhore.
“Presim një përkeqësim të situatës për shkak të tubimeve pasi tubime të tilla mund të mbahen në ambiente të mbyllura si oda apo restorane”.
Ajo thotë se qytetarët edhe në ditën e zgjedhjeve duhet ta mbajnë distancën dhe të marrin masat tjera mbrojtëse për të evituar infektimin.