Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në aktivitetet e edicionit të 16-të të Manifesta, që po mbahet në Essen të Gjermanisë, duke theksuar rëndësinë e kulturës si një ndër format më të fuqishme të bashkëpunimit evropian.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se, në kuadër të 30-vjetorit të Manifesta, është takuar me Ministren për Kulturë dhe Shkencë të Landit të Nordrhein-Westfalen, Ina Brandes.
Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit kulturor, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja që lidhin qytetet përmes kulturës.
“Prishtina vazhdon të jetë pjesë e bisedave që ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe krijojnë mundësi të reja për të ardhmen”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës vlerësoi se Manifesta vazhdon të lidhë qytete, ide dhe njerëz, duke dëshmuar se kultura mbetet një nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit evropian.