Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim në Uashington, D.C., në Zyrën për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ku është pritur nga Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtor për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, si dhe përfaqësues të zyrës për politika ndërkombëtare.
Përmes një postimi, Rama ka bërë të ditur se gjatë takimit janë rikonfirmuar qëndrimet e përbashkëta dhe marrëdhëniet e fuqishme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në Prishtinë.
“Rikonfirmuam qëndrimet tona të përbashkëta dhe marrëdhëniet jashtëzakonisht të fuqishme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, në veçanti Prishtinës”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, diskutimet kanë përfshirë tema të rëndësishme politike dhe institucionale, si stabiliteti politik, roli i parlamentit dhe qeverisë, procesi i zgjedhjes së Presidentit, si dhe sfidat aktuale me të cilat po përballet vendi.
Vëmendje e veçantë, siç ka theksuar Rama, iu kushtua bashkëpunimit ekonomik dhe organizimit të “Konferencës për Investime Amerikane”, e cila pritet të mbahet në Prishtinë gjatë muajit mars.
Nga ana tjetër, sipas njoftimit të Ramës, zëvendësdrejtori Lyn Debevoise ka rikonfirmuar përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur rritjen ekonomike të Kosovës, duke garantuar mbrojtjen e investimeve amerikane dhe avancimin e progresit ekonomik afatshkurtër dhe objektivave afatgjata rajonale për të ardhmen e vendit.