Kryetari i Komunës se Prishtinës, Përparim Rama, në një prononcim për media ka thënë se e ka përkrahjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, që të jetë kandidat edhe për një mandat për kryetar të kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.
Ai këto deklarata i bëri pas nisjes se punimeve për projektin “Ndërtimi i Ishullit Urban Arbëri – Pallati i Rinisë”.
I pyetur nga gazetarët lidhur me raportet e tij me kryetarin e LDK-së, ai u përgjigj se çdo herë kanë pasur marrëdhënie të mira me të, dhe se ky raport sipas tij po vazhdon ende.
“Ne kemi pasur marrëdhënie të mira. Secili punën e vetë, Unë si kryetar i kryeqytetit me projekte të mëdha në transformim të kryeqytetit, Lumiri me punët e veta me LDK, që të dërgoj përpara aspektin e programeve, ju e dini që kemi garuar se bashku kemi programin e njëjtë të transformimit të kryeqyteti. Patjetër që po”, ka thënë ai.
Rama po ashtu u ka bërë thirrje partive opozitare të votojnë buxhetin e komunës, kjo pasi sipas tij, ata janë duke bllokuar transformimin e kryeqytetit.
“Prapë po them, i bëjë thirrje opozitës që të jenë konstruktiv jo destruktiv. Sepse nuk ka as një arsye që asamblistët e opozitës ta komprometojnë zhvillimin edhe transformimin e kryeqytetit nëpërmjet bllokada të ndryshme sikur se është edhe mos votimi i buxhetit”, ka thënë ai.EO