Rama viziton punimet në tunelin e Kurrizit: Alternativë e re për komunikacion me shtigje të biçikletave

Prishtinë | 22 Tet 2024 | 12:21 | Nga Diellza Gashi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, kanë vizituar punimet e renovimit të tunelit të Kurrizit, raporton Ekonomia Online.

Punimet sipas Ramës janë duke shkuar sipas planit, ndërsa i gjithë projekti që ka kosto 1.3 milion euro, pritet të përfundojë brenda tetë muajve.

“Nuk është punuar në këtë rrugë prej që është ndërtuar, kemi një projekt shumë interesant cili transformon tunelin e Kurrizit. E vizitova punishten ku janë duke u kryer punë të mëdha transformuese, një gjatësi rreth 280 metra, një projekt prej 1.3 milion euro. Një hapësirë që do të transformohet dhe do të jetë edhe disa funksione për gjera të tjera gjatë vikendit. Është një dizajn ndërkombëtar ku e kemi ekipin fituese ka bërë një projekt shumë të mirë, në një periudhë kohore 8 mujore ku do të përfundoj ky projekt”, ka thënë Rama.

Kreu i Prishtinës ka thënë se ky transformim do të ketë edhe shtigjet e biçikletave, ndërsa do të ruhet edhe historiku i saj.

“Për më shume se 60 mijë banorë në këtë pjesë do të ketë edhe një hapësirë të rigjeneruar. Ky projekt nuk do të përfshijë zona të tjera, kemi renovim dhe një pjesë e saj është edhe si muze ku tregon periudhën kohore kur është ndërtuar ky tunel dhe tregon një pjesë të historisë. Kemi edhe shtegun e biçikletave të cilat po zgjeron dhe po shton alternativa të reja për lëvizje”, u shpreh Rama.

Të ngjashme