Arkitekti Përparim Rama në një intervistë ekskluzive për Ndërtimi.info, shpreh atë që mendon për Xhaminë Qendrore, për të cilën kanë filluar lëvizjet për ndërtim, edhe pse pa leje ndërtimi ende.
Lokacioni i përzgjedhur për Xhaminë Qendrore, për Ramën, paraqet shumë problem.
“Pozita është e gabueshme, shumë e gabueshme faktikisht. Për shumë arsye. Së pari në aspektin urbanistik, vendosja është në një rrugë të frekuentuar dhe madhësia që është propozuar për xhami është tepër e madhe për vendin, densiteti i njerëzve që kishin me ardhë aty, kishim me shkaktu kaos për komunikacionin”, ka thënë Rama për Ndertimi.info.
Ai më pas bën një sqarim se pse në aspektin arkitektonik, xhamia në atë vend krijon një ndeshje me një ndërtesë gjithashtu të madhe, Postën e Kosovës.
“Kemi një ndeshje mes Postës, e fortë në aspektin arkitektonik, e madhe dhe ka prezencë. Tash me e vendos një xhami, ku posta e ka prezencën më të fortë, sadoqoftë që xhamia është më e madhe. Kjo është sikur me i fut dy sende në një vend, që po i zënë vendin edhe këtyre tjerave”, shtoi Rama.
Ai bëri një nënvizim për një analizë historike dhe ndërlidhjeje me kulturën dhe traditën shqiptare, që kjo xhami nuk e ka.
“Gjëja kryesore është se nuk ka kurrfarë analize me historinë, kulturën me traditën, me atë se çka do të thotë feja islame me Prishtinën, ku janë ato indet e para, ku ka filluar, si lidhemi ne me të kaluarën, si mendojmë për të ardhmen, janë një numër i madh të elementeve që nuk janë të analizuara. Mendoj se dikush nga panika që nuk e kanë gjet ende një vend ka vendosur të jetë aty”, ka thënë Rama.
Ai thotë se njëjtë është bërë një gabim edhe me katedralen katolike, e cila është vendosur në mes të qytetit me një madhësi që nuk përkon.