Burim Ramadani, eksperti i çështjeve të sigurisë, në një postim në faqen e tij në Facebook, ka kritikuar gjuhën jopolitike, primitivizmin politik, sjelljet jonjerëzore dhe elitën politike të ditëve të sotme, që sipas tij, po përkeqësohet çdo herë e më shumë në vendin tonë.
Më tutje, Ramadani ka apostrofuar Vetëvendosjen, duke e akuzuar për sjellje jopolitike e dehumanizuese
“Gjuha jopolitike si mënyrë e rregullt e të bërit politikë më së paku është primitivizëm politik dhe sjellje jonjerëzore. Primitivizëm politik nëse kështu mendoni se legjitimoheni dhe profilizoheni në skenën politike.
Sjellje jonjerëzore nëse për shkak të qëllimeve politike nuk keni asnjë ndjenjë njerëzore ndaj tjetrit apo tjetrës”, ka shkruar Ramadani.
“Elita politike e tashme, e përkeqësuar çdo herë e më shumë, përfshin edhe të tillë që nuk kanë arritur kurrë të dëshmojnë ndonjë aftësi të vetme, qoftë politike, qoftë individuale.
Fatkeqësisht, janë bërë shumë të tillë”.
“Ky vend ka nevojë për demokratizim aq sa ka nevojë njeriu për ujë të pijes. A e kuptoni bre në çfarë objektivash duhet të ndërtohet politikëbërja? E ju, sërish e sërish, e keni plastifikuar mendjen në gjuhë dehumanizuese”.
Më pas, në një postim të dytë, Ramadani ka apostrofuar Vetëvendosjen.
“Nëse edhe më tutje keni dilema se kush e legjitimon dhunën për gjuhës jopolitike për qëllime politike, atëherë nuk keni menduar asnjëherë rreth sjelljeve jopolitike e dehumanizuese që bën VV-ja!”
“Kjo që keni parë gjatë dy ditëve të fundit, tregon për synimin e VV-së që të thellojë sjelljen jopolitike opozitare”.
“Nëse VV mendon se rritja e votave e legjitimon gjuhën dhe sjelljen e saj jopolitike për qëllime politike, kjo më së paku nënkupton mungesë mendimi strategjik dhe mungesë përgjegjësie politike”, ka theksuar Ramadani.
“Duke njohur shumë nga ta, nuk besoj se bëhet fjalë për paaftësi të të menduarit. Atëherë mbetet arsyeja tjetër e mundshme: mungesa e përgjegjësisë politike për këtë vend, për demokratizimin, për të drejtat dhe liritë e njeriut, liritë politike dhe liritë civile”.