Drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, ka bërë sërish apel që masat e ndërmarra nga ta të respektohen nga qytetarët, raporton Ekonomia Online.
Ramadani bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, kryeinspektoren shëndetësore, Nora Krasniqi; dhe kryeinspektorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, Ibrahim Tërshnajku vizituan pikën kufitare me Shqipërinë në Vërmicë, për të parë implementimin e masave të reja të Qeverisë së Kosovës për Coronavirusin.
Nga aty, drejtori Ramadani tha se nëse nuk respektohen këto masa mund të ketë më shumë viktima nga Coronavirusi.
“Kalimi i lirë i kufirit nuk nënkupton rrezikimin e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por duke u mbrojtur dhe duke rekomanduar masat, siç janë mbajtja e higjienës dhe distancës”.
“Nëse këto masa nuk ndërmerren këto masa IKShP do të ndërmarrë masa më rigoroze, deri tek ndalimi i qarkullimit. Kemi menduar se për këto muaj qytetarët kanë kuptuar masat e ndërmarra nga ne”, tha ai.
“Nëse virusi e merr një qytetar e ka pasojat e njëjta siç ishte në fillim. Ne duhet të mësohemi ne normalitetin e ri. Pa maska dhe pa mbajtje të distancës ne mund të kemi viktima”, tha Ramadani.
Fadil Kryeziu drejtor rajonal i IKShPK-së për rajonin e Prizrenit, ka ftuar qytetarët që t’i respektojnë masat ndaj Coronavirusit, raporton EO.
“Masat e reja flasin për pakujdesi së qytetarëve të cilët nuk po i respektojnë masat, siç janë përdorimi i maskave dhe mbajtja e distancës. Kjo kërkohet që qytetarët të në ndihmojnë neve”, tha ai.
