Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, është takuar me presidentin malazez, Milo Gjukanoviq.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Presidentin Gjukanoviq për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë, për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, orientimin euroatlantik të Kosovës, si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve, dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që bashkëpunimi të thellohet edhe më tutje në interes të të dy shteteve.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke punuar me përkushtim në ndërtimin e raporteve të mira bilaterale me të gjitha vendet e rajonit, duke potencuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit, është biseduar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme për arritjen e marrëveshjes finale ligjore obligative me Serbinë, që do të thotë njohje reciproke.
Ndërsa Presidenti Gjukanoviq, ka vlerësuar se është më interes të Kosovës dhe Malit të Zi, thellimi i bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së popujve të dy vendeve dhe shprehu përkrahjen e plotë për rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.