Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka nënshkruar të hënën dekretin për dhënien e nënshtetësisë shqiptare ish kryeminstrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortes së tij, Anita, përcjellin mediat shqiptare.
Në dekretin e nënshkruar nga presidenti, thuhet se “kërkesa është bërë prej tyre” dhe se presidenti e ka bazuar atë në ligjet e Republikës së Shqipërisë.
Dekreti i Presidentit Nishani për nënshtetësinë shqiptare për Ramush Haradinajn vie në kohën kur ish-kryeministri i Kosovës ndodhet në Francë në pritje të një vendimi të gjykatës franceze në Colmar ndaj një kërkesë të Beogradit zyrtar për ekstradim në Serbi, me qëllim të përballjes me akuzat për, sic thuhet, krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata në Colmar pritet që më 27 Prill të marrë vendimin për Haradinajn, pas disa seancave që kur u ndalua zoti Haradinaj.
Ramush Haradinaj u ndalua në janar të këtij viti në aeroportin e Baselit nga policia franceze mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë dhe u la të mbrohej në liri.
Autoritetet serbe kanë paraqitur në gjykatën e Colmarit prova, sic thonë, të reja për krimet e kryera gjatë luftës që nuk janë dorëzuar gjatë gjykimit të zotit Haradinaj në vitin 2008 e 2012 në Gjykatën për krime lufte në Hagë, e cila edhe e liroi nga të gjitha akuzat.
Ish-kryeministri I Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ndërkaq ka ripërsëritur se ‘ndalimi i tij është krejtësisht politik dhe se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës për krime lufte ne ish-Jugosllavi’.
“… procesi është gjyqësor, por baza e këtij procesi është krejtësisht politik”, i tha pak javë më parë Radios Evropa e Lirë, Ramush Haradinaj, përmes telefonit.
Ndalimi i Haradinajt në Francë ka ngjallur reagime të forta në Kosovë dhe Kuvendi miratoi një rezolutë për pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e tij, kurse autoritetet në vend thanë se po respektojnë vendimet e ligjvënësve.