Ranitidina, medikamenti që përdoret për shqetësimet e stomakut, hiqet nga përdorimi edhe nga tregu farmaceutik në Shqipëri, pas njoftimit të Agjencisë Europiane të Barnave se disa ilaçe që kanë në përbërje ranitidinë kanë elemente kancerogjene.
Agjencia Kombëtare e Barnave njoftoi tërheqjen e disa medikamenteve. Drejtues të agjencisë u bëjnë thirrje mjekëve në spitale publike, private dhe në qendra shëndetësore të mos i japin me recetë ranitidinën dhe barnat që përmbajnë këtë element.
Agjensia ka nisur kontrolle në farmaci dhe depo për zbatimin e këtij urdhri. Në rast se konstatohet tregtim i këtij medikamenti dhe barnave me përmbajtje ranitidine do të ketë masa ndaj farmacive.
Administrata Amerikane e Barnave dhe Agjensia Europiane e Barnave njoftuan se në barnat ranitidinë apo me përmbajtje të këtij elementi, pas testeve laboratorike është gjetur lëndë kancerogjene.