Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, ka pritur Susanne Schütz, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Sipas njoftimit për media, në këtë takim, në të cilin ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Held, është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë, përfshirë sfidat në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit të kaluar.
Zëvendësministrja Vuniqi dhe diplomatja Schütz, gjatë këtij takimi, kanë biseduar edhe për zhvillimet politike në rajon, proceset e fqinjësisë së mirë dhe ato të integrimit të Kosovës dhe rajonit në strukturat europiane.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme ka falënderuar Schütz për angazhimin e saj dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të çmuar që Gjermania vazhdon të jep për shtetin e Kosovës.
Raportet e shkëlqyeshme bilaterale midis Kosovës dhe Gjermanisë, sipas Vuniqit, duhet të shfrytëzohen edhe më shumë në rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes për popujt e të dyja vendeve.