Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk ndikon në prishjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet shqiptarëve dhe Amerikës.
Madje fitorja e miliarderit Trump nuk paraqet kurrfarë rreziku për politikën e shteteve të tjera në botë. Kështu të paktën vlerësojnë analistët e çështjeve politike dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë.
Sipas tyre, ardhja e kandidatit republikan Trump në krye të Presidencës nuk paraqet ndonjë impakt të veçantë për Kosovën.
Pavarësisht këtyre, disa prej analistëve e cilësojnë si rrezik të madh fitoren e presidentit Donald Trump, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Ballkanin e botën.
E për dallim prej tyre politikanët në Kosovë duke e uruar Trumpin thonë se raportet me SHBA-të do të jenë gjithmonë në nivel të kënaqshëm.
Njëjtë kanë vepruar edhe krerët shtetërorë në Shqipëri, të cilët i kanë uruar suksese republikanit Donald Trump.
Thaçi e Rama urojnë Trumpin
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vlerësuar se miqësia mes Kosovës dhe SHBA-ve do të vazhdojë të jetë e njëjtë sikur deri më tash.
“Miqësia e përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë është bazamenti mbi të cilin do ta vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit dypalësh”, ka thënë Thaçi, duke e uruar presidentin e ri të SHBA-ve.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në prill të këtij viti e kishte konsideruar lajm të keq fitoren e mundshme të Trumpit, dje e ka uruar atë, me ç’rast ka potencuar se raportet Shqipëri – SHBA vetëm sa do të vinë duke u forcuar.
“Duke ia uruar presidentit Trump fitoren dhe gjithë suksesin që amerikanët dhe miqtë e partnerët e SHBA-ve i urojnë atij vendi të madh, kam bindjen se marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara do të vijojë të forcohet”, ka deklaruar ai. (Gazeta Zeri)