Raporti i Guterres: OKB, e shqetësuar me moszbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit

Prishtinë | 01 Gus 2018 | 15:29 | Nga

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në raportin tremujor për Kosovën ka vënë në pah çështjet kryesore në të cilat Kosova ka shënuar përparime, mirëpo edhe ato në të cilat Prishtinës i duhet të punojë më shumë në drejtim të implementimit të tyre.

Sipas këtij raporti, që përfshin periudhën prej mesit të muajit Prill deri në mes të muajit korrik, ngriten shqetësime mbi punimet që kanë filluar të bëhen në zonën e mbrojtur përreth Manastirit të Deçanit, duke u bërë thirrje institutcioneve të Kosovës që të rishikohen ligjet dhe vendimet ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.

Gjithashtu, në këtë raport ngritet edhe çështja e zbardhjes së vrasjes së liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.

“Nënvizoj, me shqetësime të mëdha faktin që vrasja e Ivanoviqit pas gjashtë muajsh ende nuk është zgjidhur. U bëj thirrje autoriteteve në Prishtinë që të intensifikojnë hetimet e tyre dhe të përdorin të gjitha kanalet e mundshme që do t’u ndihmonin me këtë rast”, theksohet në raportin e Guterres.

Ndër të tjera, shefi i OKB-së në raportin e tij për Kosovën thekson se Kombet e Bashkuara e mirëpresin vazhdimin e procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Megjithëse takimi mes Thaçit dhe Vuçiq nuk sjelli rezultate, vazhdimi i dialogut ofron mundësi të reja për arritjen e zgjidhjes së diferencave afatgjate. Inkurajojmë liderët e Beogradit dhe Prishtinës që ta vazhdojnë dialogun e tyre si dhe të përmbushin detyrimet e nxjerra nga ky dialog”, theksohet më tutje në raport.

Sekretari Gjeneral i OKB-së po ashtu vlerëson se situata e përgjithshme në Kosovë në tre muajt e fundit ka qenë stabile, duke vënë në theks bojkotimin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës, që nga arrestimi i Marko Gjuriqit.

Në fund të këtij raporti, mirëpriten edhe deklaratat e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, të cilat dënojnë sulmet etnike që ndodhën në vend gjatë kësaj periudhe.

Kujtojmë se tash e disa ditë, nëpër mediat serbe kanë qarkulluar raportime të cilat pretendojnë se Londra e cila ka kryesimin e rradhës të Këshillit të Sigurimit, do të ndërpresë seancat ku diskutohet për gjendjen në Kosovë, me arsyetimin se situata tash është më stabile dhe se nuk ka nevojë të flitet veçanërisht për këtë çështje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme