Komisioni Evropian të martën prezanton Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit.
Në paketën e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, ku përfshihet edhe Kosova është gjetur një përparim i kufizuar në shumicën e proceseve.
Sipas këtij raporti që e ka siguruar Telegrafi, vendi ynë sa i përket dialogut me Serbinë thuhet se, “Kosova në përgjithësi, ka vazhduar të jetë e përkushtuar në dialog”.
Por, sipas këtij raporti “qeveria e Kosovës duhet të respektojë angazhimet e saj të mëparshme dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të kaluara të dialogut”.
“Duke ecur përpara, Kosova gjithashtu duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm dhe të kontribuojnë në një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje të normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë, përfshirë në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, thuhet në këtë raport sa i përket dialogut me Serbinë.
Tutje në raport theksohet se marrëveshja gjithpërfshirëse me Serbinë, është vendimtare në mënyrë që të dy vendet të përparojnë në rrugën drejt Evropës.
“Kosova pritet të angazhohet në mënyrë konstruktive në negociatat mbi marrëveshjen e normalizimit ligjërisht të detyrueshme në periudhën e ardhshme, në mënyrë që të bëjë përparim të shpejtë dhe konkret. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”.