Gjatë ditës së sotme është raportuar për djegien e serverëve të administratës në komunën e Podujevës.
Por, pushteti lokal atje e mohon se ka ndodhur një rast i tillë. Në një reagim të lëshuar thuhet se asnjëherë nuk janë cënuar të dhënat personale të qytetarëve.
“E vërteta është se pas ndërprerjes së energjisë elektrike gjatë mëngjesit të së enjtes të javës së kaluar, disa hardisqe kanë pësuar defekte, të cilat janë të natyrës teknike dhe janë të menaxhueshme. Pra, infrastruktura bazë është e paprekur dhe funksionon siç duhet dhe se defektet e krijuara janë të riparueshme. Ju njoftojmë gjithashtu se mbarëvajtja e punëve administrative në Komunën e Podujevës po zhvillohet normalisht”, thuhet në njoftimin e komunës.
Tutje në reagimin e komunës thuhet se edhe pas defekteve në këto hardisqe, nuk janë humbur të dhënat, pasi ato janë të ruajtura në kompjuterët e zyrtarëve, në programet aplikative siç janë intraneti, uebfaqja zyrtare, programet e financave dhe ato të dhëna janë duke u rikthyer në sistem nga zyrtarët e IT-së.
“Por, nuk bëhet fjalë për të dhëna të qytetarëve, pasi ato ruhen në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) në nivel qendror. Kjo është një garanci që, pavarësisht ngjarjeve të papritura, Komuna është në gjendje të ofrojë shërbime të qëndrueshme dhe të besueshme për qytetarët tanë”.
Lajmet e tilla se kinse është djegur serveri i Komunës, përveçqë janë të pavërteta, ato janë edhe tendencioze, dashakeqëse dhe kanë për qëllim të krijojnë panik dhe huti te qytetarët. I sigurojmë qytetarët se të dhënat e tyre janë të sigurta dhe nuk duhet të shqetësohen aspak për këtë”, thuhet në njoftimin e lëshuar.