Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka shqyrtuar Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ndërmarrjes Publike “Ibër – Lepenc” për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2021. Të ftuar në këtë raportim ishin Kryetari i Bordit, Bajram Mustafa dhe U.D Kryeshefi ekzekutiv, Januz Kabashi, raporton Ekonomia Online.
Yllza Hoti, deputete e Vetëvendosjes, tha se pasqyrat financiare të shqyrtuara nuk paraqesin drejtë pozitën financiare të Ibër-Lepencit.
“Pasqyrat financiare të shqyrtuara nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Iber-Lepencit….Nuk janë ne përputhje të plotë me standardet ndërkombëtarë për raportim financiar”.
Tutje ajo tha se kjo ndërmarrje nuk ka bërë rivlerësimin e pasurive fikse që nga viti 2007 duke rezultuar kështu në prezantim jo të saktë të vlerës së rezervës së rivlerësimit si dhe shpenzimeve të zhvlerësimit.
“Ndërmarrja nuk ka bërë rivlerësimin e pasurive fikse që nga viti 2007. Nuk ka bërë korrigjimin e rezervës së rivlerësimit të pasurive të realizuara në vitin 2007, duke rezultuar kështu në prezantim jo të saktë të vlerës së rezervës së rivlerësimit si dhe shpenzimeve të zhvlerësimit”.
“Pasuritë e prezantuara në pasqyrën e pozicionit financiar janë nënvlerësuar për 138,663 euro, pasi që ndërmarrja nuk e ka regjistruar plotësisht vlerën e pasurive të financuara nga kredia”.
Hykmete Bajrami, kryetarja e këtij komisioni kërkoi nga Kryetari i Bordit Bajram Mustafa dhe U.D Kryeshefi ekzekutiv, Januz Kabashi të dijë për shtijen e energjisë elektrike nga Iber-Lepenci.
“Vitin e kaluar ka qenë pjesë e diskutimit shtija e energjisë elektrike nga ana e Iber-Lepencit me një çmim jashtëzakonisht të ulet, disa herë më i ulët në krahasim me çmimin me të cilin Kosova e ka blerë energjinë elektrike”.
Megjithatë, Kuvendi ka marrë një vendim për vënien e masave të përkohshme për menaxhimin e sektorit të energjisë.
“Kisha dashur, të na tregoni nëse kontrata ka qenë mostër e auditimit ndërsa nga përfaqësuesit e Iber-Lepencit të na tregojnë pse masat emergjente nuk ju kanë dhënë mundësi juve për me e zhbë një kontratë të tillë”.
Kryetari i Bordit, Bajram Mustafa tha se në ndërmarrje nuk kanë asnjë raportim për keqpërdorime, ndërsa për rivlerësimin e aseteve ai tha se ajo gjetje do të zbatohen gjatë këtij viti.
“Të gjitha të gjeturat që i përmendi deputetja janë kryesisht të natyrës kontabël. Për fat të mirë. Nuk kemi asnjë raportim për keqpërdorime në ndërmarrje. Raportin e kemi shqyrtuar me kujdes dhe konform këtij raporti e kemi hartuar planin e veprimit…Sa i përket gjetjes së parë, që ka të bëjë me rivlerësimin e aseteve, të tjerat gjetje do të zbatohen gjatë këtij viti”.
Tutje Kryetari i bordit, Bajrami tha se rivlerësimi është çështje që po përsëritet vite me radhë e për këtë arsye i janë drejrtuar Qeverisë pasi është aksionare.
Ai tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që rezervat të korrigjohen, e për këtë ai tha se departamenti i financave ka filluar punën në këtë drejtim për pasqyrat e vitit 2022.
Për arsye se rivlerësimi është një çështje qe po përsëritet me vite ne jemi drejtuar aksionarëve për arsye se Qeveria është aksionare e ndërmarrjes sonë. Ne kemi pasur raportime të rregullta nga kompani të ndryshme ndërkombëtare mirëpo asnjëherë nuk na është kërkuar që rezerva e vlerësimit të korrigjohet. Meqenëse, ZKA-ja ka rekomanduar që rezervat të korrigjohen, departamenti i financave ka filluar punën dhe në pasqyruat financiare të vitit 2022 kjo do të prezantohet sipas kërkesës së ZKA-së”.
Kryeshefi ekzekutiv i NPH “Ibër – Lepenc” sh.a, Januz Kabashi tha se kjo ndërmarrje nuk ka qenë kurrë barrë e qeverisë.
“Sic e theksoi edhe kryesuesi jemi një ndërmarrje stabile, e cila nuk ka qenë kurrë barrë e qeverisë, një ndërmarrje që menaxhohet dhe nuk kemi asnjë problem as me furnizime as me zhvillime që i kemi gjatë procedurave mirëpo ne si kompani dhe si ndërmarrje kemi edhe kredi që është rasti i oarë i bankës botërore, që kemi filluar 2021 me pagu prej 840 mijë euro, i paguajmë vetë. Me ardhë në këtë pozitë së pari është dashur me bë një rishikim të planit të biznesit arsye ka qenë se kemi qenë pa bord, me ardhjen e bordit të ri të përkohshme kemi bë rishikimin edhe i kemi eleminu disa kontrata të dëmshme. I kemi bë auditimin e shumë kontratave, ndër kontratat që është autidtu ka qenë edhe kontrata për energji, e cila sa për njoftim është më hetuesi. Kemi proceduar edhe disa kontrata të tjera që i kemi eliminuar që për neve kanë qenë të paarsyeshme”.
Sa i përket të hyrave, në vitin 2021, ai tha se kanë qenë 6.14% më shumë se në vitin paraprak.
“Kemi fitim opreativ numri i punëtorëve në vitin 2021 ka qenë mesatarja 303 ndërsa tani janë 289, deri në qershor. Të hyrat për vitin 2021 ka qenë 6.14% më shumë se në vitin 2020”.
Ndërsa sa i përket të hyrave vjetore, Kryeshefi Januzi tha se kanë qenë 6 milion e 372 mijë e 91 euro.
“Shpenzimet kanë qenë më të ulëta për 2.72% në krahasim me vitin 2020. Të hyrat vjetore kanë qenë 6 milion e 372 mijë e 91 euro. Keshi ka qenë 3 milion e 990 mijë e 631 ndërsa deri në qrshor të vitit 2022 janë 3 milion e 988 mije e 795 euro”.
Për të gjeturat e auditorëve, ai theksoi se kanë kërkuar që të gjitha të hulumtohen e se janë pajtuar me to.
“Sa i përket të gjeturave ne jemi pajtuar, kemi pas një bashkëpunim të mirë me auditorët. Kam kërkuar që të gjitha të gjeturat të hulumtohen. Në çdo kohë veprimi i tyre për kërkesa të dokumenteve është realizuar me kohë. Ne jemi pajtuar me këto vërejtje, këto vërejtje sipas neve, përpos të parës te rivlerësimit të aseteve që nuk është bërë kjo pritet të kryhet nga Qeveria e Kosovës”.
Në këtë komision ai u zotua se të gjitha çështjet do të përmirësohen.
“Unë mendoj se kjo i përket aksionarit ose qeverisë. Është theksuar disa herë sa i përket të gjeturave të tjera, jemi pajtuar dhe gjatë rrugës i kemi eliminuar tri, nuk ka pasur ndonjë shamgie financiare apo ndonjë keqpërdorim më tepër kane qenë teknike edhe besoj që brenda vitit 2022 zotohem përpos çështjes së parë të gjitha çështjet do të përmirësohet”.
Tutje, ai njoftoi se me marrjen e detyrës së kryeshefit, si hap të parë që ka marrë ka qenë auditimi i kontratës së energjisë, e cila sipas tij është amendamentuar pa konkurrencë. Ai tha se ZRRE-ja për këtë i ka dënuar diku 117 mijë euro.
“Sa i përket kontratës së energjisë kur kam ardhë unë si kryeshef, hapi i parë që është marrë prej bordit të përkohshëm është auditimi i kontratës. Një kontratë ka qenë deri në 2020 e cila është amandamentuar pa konkurrencë, dhe jemi dënuar prej ZRRE me vlerë diku 117 mijë euro”