Sulmuesi i krahut, Elbasan Rashani, pritet të jetë reprezentuesi i pestë i Kosovës që në edicionin e ri do të luaj në Championship të Anglisë. Mediumet norvegjeze të mërkurën kanë shkruar se Rashani është shumë afër transferimit te skuadra e Fulhamit.
Në edicionin 2019/20 në Championship (kategoria e dytë angleze) tashmë janë të konfirmuar lojtarët si Arijanet Muriq (Nottingham Forest), Florent Hadërgjonaj (Huddersfield), Bersant Celina (Swansea) e Atdhe Nuhiu (Sheffield Wednesday), shkruan sot Koha Ditore.
Rashani, 26-vjeçar, te Fulhami po shihet si përforcim që mund ta ndihmojë për t’u kthyer në Premier League, ku edhe garoi edicionin e shkuar. Për kartonin e tij Fulhami i ka bërë ofertë prej 600 mijë eurosh skuadrës elitare të Norvegjisë, Odds BK. Rashani në edicionin që po zhvillohet në Norvegji ka shënuar dy gola dhe ka asistuar katër herë në 15 paraqitje.