Rashani i dha vulë serisë impresive të Kosovës, të nisur edhe nga ai

Prishtinë | 13 Qer 2019 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Një gol me shumë fat kishte shënuar Elbasan Rashani në ndeshjen kur iu kthye fati Kosovës. Më 13 nëntor 2017 në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, përfaqësuesja e Kosovës në futboll po luante miqësoren e parë pas përfundimit të eliminatoreve për Botërorin 2018.

Albert Bunjaki kishte dorëzuar tashmë postin e seleksionuesit dhe në një fazë të ndërmjetme deri në emërimin e përzgjedhësit të ri, Kosovën po e drejtonte Muharrem Sahiti.

Përballë Kosovës ishte Letonia dhe “dardanët” morën një fitore 4:3. Ishte fitore e arritur me shumë vështirësi, me gol të Besar Halimit në minutën e 94-t. Por ishte një fitore që ktheu entuziazmin e Kosovës e për më shumë nisi serinë pozitive që po vazhdon ende.

Kontributin e tij në atë takim të luajtur para 6.000 shikuesve e dha edhe Rashani, që të hënën mbrëma në Sofje ishte hero i Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Rashani si zakonisht ishte aktivizuar në pjesën e dytë, në atë ndeshje në vend të Vedat Muriqit, që kishte shënuar golin e dytë për Kosovën. Në minutën e 86-të Atdhe Nuhiu kishte goditur me kokë, ndërsa topin e kishte ndalur portieri.

Topi erdhi te një mbrojtës i Letonisë që në tentim të pazakontë për ta larguar, e goditi në shpinë Rashanin. Topi përfundoi në rrjetë dhe goli për 3:3 iu shënua Rashanit. Ishte moment kthese në ndeshje, por edhe në ecurinë e përgjithshme të Kosovës.

Bernard Challandes mori drejtimin e Kosovës disa muaj më vonë dhe duke llogaritur atë ndeshje, përfaqësuesja është në seri prej 14 takimeve pa humbje. Fitore u shënuan edhe në miqësore me Madagaskarin, Burkina Fason e Shqipërinë, në Ligën e Kombeve me Ishujt Faroe, Maltën dy herë dhe me Azerbajxhanin si dhe të hënën me Bullgarinë në kualifikime për “Euro 2020”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme