Marcus Rashford e vlerëson Jose Mourinhon si trajner të nivelit më të lartë, mirëpo ai e pranon se trajneri aktual i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, posedon cilësi të cilat s’i kishte portugezi.
“Djajtë e kuq” vendosën të bëjnë ndryshime në stafin teknik të skuadrës në dhjetor të vitit 2018, duke filluar nga pozita e trajnerit.
Ish-trajneri i Chelseat dhe Real Madridit, Jose Mourinho, u shkarkua nga ajo pozitë dhe përgjegjësia e trajnerit iu besua fituesit të tripletës me Manchester Unitedin në vitin 1999, Ole Gunnar Solskjaerit.
Trajneri norvegjez e pati një ndikim të menjëhershëm në skuadër, por tani është në proces për ta rindërtuar skuadrën edhe një herë, pasi që ecuria e rezultateve të mira në Old Trafford nuk i zgjati shumë.
Rashfordi beson se legjenda e Manchester Unitedit mund të jetë i suksesshëm sepse, për dallim nga paraardhësi i tij, ai e di se çfarë do të thotë të jesh lojtar dhe kërkesat e presionin kur luan për një klub si Manchester Unitedit.
“Ai është shumë më ndryshe, mirëpo kjo gjë është e pritshme sepse ai ka luajtur futboll. Jashtë fushës, ai thjesht i kupton lojtarët më mirë”, ka thënë Rashford.
“Nuk mendoj se kjo gjë ishte problem te Mourinho sepse ai është trajneri i nivelit më të lartë dhe e ka mënyrën e tij për t’i lexuar lojtarët. Por, për mua, kur një trajner ka luajtur futboll, ai të kupton më mirë”.