Njëri nga futbollistët që ka luajtur për Kosovën dhe Shqipërinë është Milot Rashica. Për të ndeshja e së martës do të jetë shumë emocionuese.
Për “Albinfo.ch”, Rashica ka thënë se kjo ndeshje për të do të jetë shumë e veçantë.
“Është ndjenjë e veçantë të luash në këtë ndeshje, pasi ka disa futbollistë që kanë luajtur për Shqipërinë dhe tani luajnë për Kosovën. Shpresoj se do jetë një lojë e mirë edhe për shikues, që do të vijnë në këtë ndeshje”, ka thënë Rashica.
Ai ka treguar për përvojën që kishte te Shqipëria.
“Për ne do të jetë test ndeshja ndaj Shqipërisë, sepse ne jemi një ekip i ri, derisa Shqipëria ka përvojë në garat ndërkombëtare. Me ekipin e Shqipërisë kam luajtur vetëm dy ndeshje miqësore, kurse me Kosovën më gjatë. Kemi luajtur edhe në kualifikime për Botëror. Prandaj do të jetë ndeshje e veçantë”, shton tutje ai.
Rashica ka përshkruar edhe kalimin në Bundesligë te Werder Bremeni.
“Ka qenë një hap i madh në karrierën time. Bundesliga ka shumë dallim prej Ligës së Holandës. Besoj se sezonin e ardhshëm do të kem më shumë minuta dhe do të shënoj më shumë gola”, ka theksuar ndër të tjera Milot Rashica.
Ai ka shënuar një gol për Werder Bremen në Bundesliga, ku u transferuar në janar nga Vitesse. Rashica ka filluar karrierën në Kosovën e Vushtrrisë.