Werder Bremeni ka bërë edhe një hap prapa në tentim për të mbetur pjesë e Bundesligës gjermane. Skuadra e Milot Rashicës të shtunën humbi 2:0 në shtëpi nga Borussia Dortmundi, në kuadër të javës së 23-të të kampionatit gjerman.
Ylli i Kosovës, Rashica, ka kompletuar ndeshjen, por pa lënë gjurmë. Ai nuk ka realizuar gol në Bundesligë që nga 14 dhjetori, kur shënoi ndaj Bayernit. Rashica mbetet në shifrën e shtatë golave e tri asistimeve në 18 paraqitje kampionale.
Dan Zagadou shënoi golin e parë për Dortmundin në minutën e 52-të. Ndërkohë rezultatin përfundimtar e vendosi sensacioni norvegjez Erling Haaland. Haaland kështu ka vazhduar me formë shumë të lartë, raporton Koha.net
Ai ka realizuar plot nëntë gola në gjashtë ndeshje në Bundesligën gjermane. Në Champions i ka dhjetë gola në shtatë ndeshje.
Werderi për herë të parë në histori ka gjashtë humbje rresht. Ka 461 minuta që Werderi nuk ka shënuar gol në ndeshjet si vendas. Werderi është i parafundit me 17 pikë, vetëm një më shumë se Paderborni. Borussia renditet e dyta me 45 pikë, katër më pak se Bayerni që prinë.