Rashica ishte shumë i disponuar të dielën mbrëma. Kishte arsye të fortë për këtë. Ai një ditë para grumbullimit me përfaqësuesen e Kosovës, të shtunën, shënoi gol të bukur në çastet e fundit për t’ia siguruar Werder Bremenit fitoren 2:1 ndaj Eintracht Frankfurtit në kuadër të xhiros së dytë të Bundesligës së Gjermanisë. 22-vjeçari realizoi nga një goditje dënimi.
Ylli i Kosovës në ndeshjen në Frankfurt u aktivizua në minutën e 83-të, derisa golin e tri pikëve e shënoi në minutën e 96-të, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kështu Rashica vetëm ka vazhduar me paraqitje të mira në fillim të edicionit. Në xhiron e parë kishte asistuar në barazimin 1:1 me Hannoverin.
Falë fillimit të mirë, sidomos falë golit të së shtunës, ai është maksimalisht i motivuar që edhe me Kosovën të shkëlqejë. Madje shpreson të shënojë ndonjë gol.
Rashica të dielën mbrëma është vendosur në kampin e përfaqësueses së Kosovës. Përfaqësuesja të hënën (sot) nis përgatitjet për dy ndeshjet e para në kuadër të Ligës së Kombeve. Kosova më 7 shtator luan në udhëtim ndaj Azerbajxhanit, ndërsa më 10 shtator e pret përfaqësuesen e Ishujve Faroe në Prishtinë…