Rashiq i sugjeron Stanos që ta lexojë Kushtetutën e Kosovës

Prishtinë | 03 Dhj 2022 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Ministri Nenad Rashiq i ka reaguar zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, pas deklaratës së tij që tha se Rashiq u emërua nga kryeministri Kurti pa qenë në përputhje me Kushtetutën “sipas vlerësimeve preliminare”.

Rashiq ia ka sugjeruar Stanos që ta lexojë Kushtetutën e Kosovës, derisa ka përmendur një nen të Kushtetutës që thotë se kryeministrit i lejohet që të përcaktojë vetë për kabinetin qeverisës pa konsultim me Kuvendin. 

“Kur e pashë biografinë e Stanos, nuk e pashë se ai kishte njohuri me Kushtetutën e Kosovës, ndaj i sugjeroj ta lexojë me kujdes”, tha Nenad Rashiq, shkruan Kosovo Online.

“Neni 94 thotë se kryeministri, sipas ligjeve të Kosovës, ka të drejtë të shkarkojë dhe emërojë ministrat pa pëlqimin e Kuvendit”, ka thënë Rashiq.

Në njjë konferencë për media, Stano ka thënë se “sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Stano.

Të ngjashme