Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq, ka bërë me dije se është çështje ditësh kur deputetët e komunitetit serbë do të kthehen në institucionet e Kosovës.
“Negociatat e Listës serbe me qeverinë e Kosovës janë në fazën finale. Mesazhet nga presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Mustafa janë mesazhe të qarta. Të gjithë ne e duam stabilitetin. Në ditët në vijim do të flasim me më shumë dinamikë”, ka thënë Rashiq për RTK-në.
Sipas tij, problemi që u zgjidh për Murin në Mitrovicë është dëshmi për bashkëpunim.
Rashiq tha se Asociacioni do të krijohet në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.
“Duhet kohë për të krijuar asociacionin, pasi që duhet përgatitur edhe statutin”, ka theksuar ai.