Rashkaj, dëshmitar i çdo gjëje që lidhet me Kosovën

Prishtinë | 22 Sht 2019 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Kur Anel Rashkaj iu bashkua për herë të parë Kosovës, shumë prej lojtarëve aktualë të përfaqësueses ishin ende duke e mësuar futbollin në kategori të reja. Ndonjë mund të mos ketë nisur fare karrierën. Rashkaj ka dhënë kontribut për përfaqësuesen e Kosovës në futboll në vitin 2008 e po jep edhe tash.

Në rrethanat e reja të krijuara, Rashkaj po shfrytëzon maksimalisht minutat që po i ofrohen. Pakkush mund të ketë pritur që Rashkaj t’i fitojë këta minuta, apo edhe të ftohet nga përzgjedhësi Bernard Challandes. Por 30-vjeçari, me gjithë pengesat e vështirësitë, nuk është ndalur së punuari me shpresë që sërish do ta veshë fanellën e Kosovës, shkruan Koha Ditore. 

U ftua për ndeshjet e qershorit me Malin e Zi dhe Bullgarinë, pas telasheve që kishte Kosova në mesfushë, për shkak të lëndimit të lojtarëve. Ndaj Malit të Zi në Podgoricë qëndroi në stol, në barazimin 1:1.

Ndaj Bullgarisë fitoi rastin dhe shkëlqeu. U aktivizua në minutën e 62-të dhe Kosova menjëherë në minutën e 64-t barazoi rezultatin në 2:2. Në fund (90+3′) Kosova shënoi edhe golin e fitores, 3:2. Rashkaj ishte vlerësuar lart për paraqitjen. Hyri në ndeshje kur Kosova po dominohej në mesin e fushës. Me aktivizimin e mesfushorit me përvojë, Kosova ktheu kontrollin në mesfushë, ndërsa Rashkaj niste aksione të suksesshme. Kreu punën edhe në aspektin defansiv dhe kështu i bëri reklamë shumë të mirë vetes.

Mesfushori që luan në një skuadër të vogël të kampionatit të Suedisë, mori ftesë edhe për ndeshjet e shtatorit. Prapë Kosova kishte telashe të mëdha me lëndime dhe prapë Rashkaj përfitoi nga rasti.

Ndaj Çekisë, në fitoren 2:1, u aktivizua në minutën e 87-të dhe për aq minuta sa i kaloi në fushë, mori vlerësimet. Ndaj Anglisë në Southmapton, prizrenasi u aktivizua në minutën e 59-të. Mesfusha e Kosovës është vlerësuar të jetë paraqitur më mirë me Rashkajn në fushë.

Ai është shquar me ndërprerje të aksioneve të kundërshtarit. Anglia fitoi 5:3, por shënimi i dy golave në pjesën e dytë është vlerësuar anë pozitive e asaj ndeshjeje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme