Rastësi apo i qëllimtë “mbulimi” i Skënderbeut?

Tiranë | 01 Sht 2017 | 22:38 | Nga

A u mbulua monumenti i Skënderbeut për shkak të faljes së namazit të Kurban Bajramit nga besimtarët myslimanë të enjten në qëndër të Tiranës? Në rrjetet sociale dhe portalet online ka plasur debati. E vërteta është se për herë të parë në këtë ceremoni u vendosën dy monitorë LED në formë “V”-je përpara monumentit të Heroit Kombëtar. Në pjesët anësore të sheshit ai shihej, ndersa ajo ballore jo.

Mënyra e vendosjes së tyre përpara monumentit të Skënderbeut ka hapur debate. Disa thonë se shkak u bë një foto që qarkulloi gjerësisht pas faljes së Bajramit të madh të dielën e 25 qershorit. Fotoja e më poshtme u komentua si “nënshtrim” apo “përgjunje” e myslimanëve.

A ishin këta ekrane LED një zgjidhje për të shmangur sërish foton e mësipërme? Nga Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ka ende një reagim zyrtar. I vetmi që është shprehur është myftiu i Tiranës Ylli Gurra. Ai thotë se nuk ka pasur asnjë qëllim për të fshehur apo mbuluar Skënderbeun.

“Dua të jap një sqarim publik për vëllezërit katolikë e ortodoksë. Nuk kemi pasur asnjë qëllim të fyejmë apo të mbulojmë Skënderbeun. Ai është Heroi Kombëtar i shqiptarëve dhe as nga ana fetare, as nga historike prania e monumentit të tij në shesh nuk përbën asnjë problem për myslimanët, as për faljen e namazit” – tha Gurra në një intervistë për “GSH”.

Ky reagim duket se nuk ka bindur kreun e ALUIZNI-t, Artan Lame. Nga të parët ai bëri një deklaratë të fortë në rrjetet sociale se Skënderbeun e mbuluan me perde.

 “…sot Skënderbenë tim ma zunë me perde që të mos shihej se si mbretëron e kalëron mbi kalë tash 550 vjet. Sot i zunë të pamët të mos i shihte, nesër një zot e di se ç’mund t’i bëjnë. Ndaj sot jam i gatshëm nga njeri të bëhem hero, për të mbrojtur heronë-njeri. Sot ndjehem i gjithi “je suis Skanderbeg”. E në qofshim shumë, s’kanë ç’i bëjnë heroit”.

Me tone më të buta në një tjetër reagim në mbrëmje, Lame thotë se debati i hapur pason një rrezik të madh.

“…kam frikë se po hyjmë në një udhë pa krye dhe shejtani në mos ka dalë është duke dalë nga shishja. Dhe asnjë shejtan nuk është rikthyer në shishe vetë, por duke u përballur me të. Jetojmë në një kohë kur ringjallja e ekstremizmave fetare po flak si fletë letre demokracinë nga shumë vende. Dekadat e fundit po tregojnë se përtej mitit të shqiptarëve tolerantë, po rritet mbrenda nesh intoleranca fetare”.

Në një analizë të tijën analisti Mero Baze thotë se ky debat është nxitur qëllpimisht nga të njëjtët njerëz që pak muaj më parë kënaqeshin kur shihnin muslimanët që përkuleshin para Skënderbeut.

“Kjo është një histeri e shëmtuar, nga ato provokacionet e ndyra që duan doemos konflikt mes myslimanëve dhe feve të tjera në Shqipëri. Nuk e vë në dyshim që dikush është kujdesur për skenografinë që edhe Skënderbeu të mos mbulohej, por dhe të mos shikohej nga të gjithë, duke e penguar skena. Ka aty brenda një zell politiko-fetar kundër tij, duke kujtuar natyrisht dhe “triumfalizmin” e vitit të kaluar, të atyre që i “tallën” se ju gjunjëzuan Skënderbeut. Por këta histerikët që bëjnë si “gardistë” të Skënderbeut, janë në fakt autorët e vërtetë të kësaj beteje fallco” – shkruan Mero Baze.

Agron Gjekmarkaj është mjaft radikal në qëndrimin e tij. Në një koment të publikuar orline shkruan se mbulimi i Skënderbeut është një akt i denjë taleban në kufijtë e terrorizmit.

“Nuk jam në gjendje ta ndaj, a ta quaj se kush, por organizatorët e faljes së Namazit në sheshin “Skënderbej”, mbuluan me perçe të zezë monumentin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Një akt i denjë veç për talebanët e Afganistanit; një akt fyes i mbushur plot për plot me urrejtje; një akt i rrezikshëm për themelet e rendit Kushtetues. Guxim sfidues, guxim barbar; guxim njollosës në jetë të jetëve. Perçembuluesit sfiduan historinë; identitetin; heroin po e po, rreth të cilit ka mbi dy dekada që gjuajnë galmuça me baltë. Sot hija e tij i bezdiste; kujtimi i tij më shumë; lufta ndaj otomanëve shumë më tepër, ndaj o burra ta mbulojmë. Skënderbeu është i të gjithëve” – shkruan Gjekmarkaj.

Gazetari Andi Bejtja thotë se kjo histori është fryrë pa asnjë arsye.

“Hera e pare qe ndejtja nja dy ore pa lundruar neper portale dhe sa u ktheva lajmi qe te binte si bombe ne stomak kudo ishte: myslimanet kane mbuluar Skenderbeun teksa faleshin ne shesh. Skandal kane mbuluar Skenderbeun ! Skandal ketej! Skandal andej! Bej te gjej ndonje jorgan a batanije mbi kalin e Skenderbeut nuk kishte asgje, thjesht nje monitor perballe atyre qe faleshin. Ky popull eshte i madh e nxjerr lajmin nga hici! Dhe mire ben qe ja vune dhe monitorin para Skenderbeut, se po te kishte fushepamje Skenderbeu do e kuptonte qe luftoi kot!” – shkruan Bejtja.

E sigurt është që kjo histori nuk do të mbyllet lehtësisht. Debati online dhe në studiot e TV-ve që hapen në në ditët e para të shtatorit do të vazhdojë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme