Rasti “Brezovica”, kërkohet paraburgim për kryeinspektorin e MMPHI-së dhe të tjerët

Prishtinë | 07 Jan 2022 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj të premten ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve për rastin “Brezovica”.

Në kërkesën e siguruar ekskluzitivisht nga Gazeta Online Shqip.com kërkohet vendosja e masës së paraburgimit ndaj Bedri Halimit, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Arben Çitakut, sekretar i përgjithshëm i MMPHI-së për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autoritetit zyrtar”, dhe Ismet Asllanit, përgjegjës i ndërmarrjes “Kashtanjeva Dekor”, nën dyshimet për veprën “Dhënia e ryshfetit”

Bedri Halimi dyshohet se “nga fillimi i vitit 2016 deri ne muajin gusht 2019, si person zyrtar – kryeinspektor i inspektoratit ne Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, tani MEA, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare me qellim te përfitimit te dobisë pasurore për personat tjerë”.

“Në atë mënyrë që nuk ka ndërmarr veprime për te penguar ndërtimin në Parkon Kombëtar “Sharri” vikend zona e Brezovicës, të objektit hotelier “Rezonanca” me pronarë Ramadan Idrizaj, objektit hotelier “Kaona” me pronarë Sanije Geci, objektit hotelier “Stella Counsulting” me pronarë Gentijan Sulo, objektit hotelier “Rimida” me pronarë Rijad Hasani , 6 vikend shtëpizave të pronarit Röjad Hasani të cilat janë ndërtuar në zonën e dytë të Parkut Kombëtar “Sharri” objektit hotelier “Iskos” me pronarë Hyseni Ajdini i cili është ndërtuar në zonën e dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri””, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.

Në anën tjetër, për sektarin e përgjithshëm të MMPHI-së, Arben Çitakun, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se “nga fillimi i vitit 2012 deri në fund të vitit 2019, si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare me qellim te përfitimit te dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë”.

Në aktakuzë, theksohet se Çitaku në mënyrë të tërthortë përmes një zyrtari tjetër të kësaj ministrie, ka pranuar shuma parash në vlerë prej 10 mijë euro deri në 15 mijë euro për ndërtimin e Kompleksit prej 11 vikend shtëpizave për ndërmarrjen “Arena Sport” Shpk.

Në arsyetimin e prokurorisë thuhet se Çitaku ka lëshuar pëlqime për ndërtimin e komplekseve të ndryshme, duke shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”.

“Ka lëshuar pëlqim mjedisor për ndërtimin e Kompleksit prej 11 vikend shtëpizave për ndërmarrjen “Arena Sport”, Shpk, me personin përgjegjës, Rijad Hasani. Pëlqim mjedisor për objektin hotelier “Kaona Hotel” Shpk, me personin përgjegjës Sanije Geci për ndërtimin e urës mbi Lumin “Murrzhica, pëlqim ujor për ndërmarrjen “Stella Consulting” me personin përgjegjës Gentian Sula, pëlqim ujor për personin Blerim Imeri për ndërtimin e urës mbi Lumin “Murrzhica”, të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin në Parkun Kombëtar “Sharri”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, për Ismet Asllanin, sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën e njëjtë në Shtërpcë si person përgjegjës i ndërmarrjes “Kashtanjeva Dekor”, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

“Në atë mënyrë që përmes personit i cili do te kryente ndërtimin e vikend shtepizave ne Parkun Kombëtar “Sharri”, zona e trete e vikend zonës në Brezovicë, i ka dhënë 40.000 euro të pandehurit Bratisllav Nikolic , si dhe 14.000 euro të pandehurit Dimitrije Racicievic, pör leshimin e (6) gjashtë lejeve ndertimore vikend shtëpiza në kundërshtim me Ligjin mbi Ndertimin , Ligjin mbi Parkun Kombëtar Sharri” si dhe Planin Hapësinor”, thuhet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Të ngjashme